Kim Mehmeti: VLEN-i i tregoi maqedonasve se shqiptarët mund të votojnë si të duan, por në fund vendos VMRO-ja
Publicisti i njohur Kim Mehmeti ka kritikuar ashpër rolin e koalicionit VLEN në qeverinë e re, duke theksuar se kjo parti i ka dhënë legjitimitet VMRO-DPMNE-së për të paraqitur para opinionit maqedonas se ua ka “kthyer Maqedoninë”.
“Sipas kësaj logjike, del se Maqedoninë e paskan ‘grabitur’ shqiptarët, dhe kjo është edhe më e rëndë. VLEN-i u dëshmoi maqedonasve se shqiptarët mund të votojnë si të duan, por në fund VMRO vendos kush do të jetë pjesë e qeverisë,” deklaroi Mehmeti.
Ai shtoi se, nëse është kështu, atëherë nuk ka nevojë për zgjedhje në Maqedoni, përderisa ekzistojnë parti etnike. “Nëse VMRO duhet të caktojë cilët shqiptarë do të jenë në qeveri, atëherë shqiptarët le të votojnë direkt për VMRO-në. Pse të japin votat për VLEN-in, e ky t’ia çojë VMRO-së? Le të votojnë drejtpërdrejt për VMRO-në dhe ta forcojnë atë,” tha ai.
Sipas tij, vetëm VMRO-ja është e interesuar që VLEN të forcohet, ndërsa ky narracion nuk ndryshon shumë nga ai që përdorte më parë BDI-ja. “Tani duken sikur janë bërë bashkë me Aleancën Kombëtare për Integrim. Në këtë mes, Rahman Morina i Maqedonisë nuk është i tepërt,” përfundoi Mehmeti.