Mexhiti publikon Programin zgjedhor: Është koha për Çairin!
AA
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij, duke theksuar se rikthimi i tij në këtë garë është një mision për ta bërë Çairin sërish prijës në zhvillim dhe në ndryshimet e mëdha shoqërore.
Në fjalimin e tij para qytetarëve dhe mediave, Mexhiti tha se “obligimi i tij më i madh nuk është ndaj funksionit, por ndaj njerëzve”, duke theksuar se vendimet për të ardhmen e Çairit nuk duhet të merren më në “zyra të mbyllura, larg nevojave reale të qytetarëve”.
“Qëndroj këtu për të shpallur rikthimin tim në Çair, rikthimin tim në vendin ku i përkas, në zemër të Çairit”, tha Mexhiti, duke shtuar se gjatë vitit e gjysmë të kaluar është siguruar zhbllokimi i projekteve dhe fondeve për komunën dhe për mbarë komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se Çairi tashmë është shndërruar në një kantier ndërtimi, dhe se është koha për të realizuar projektet e premtuara: zgjidhjen e trafikut dhe parkimit, pastërtinë, ndërtimin e çerdheve të reja dhe futjen e mësimit me një ndërrim dhe tërë ditor në shkolla.
Mexhiti paraqiti një program të detajuar me prioritete konkrete:
– Trafiku dhe parkimi: ndërtim parkingjesh nëntokësore dhe me kate, zgjërim i rrugës “Cvetan Dimov” dhe lehtësim i qarkullimit.
– Pastërtia dhe mjedisi: sistem modern i menaxhimit të mbeturinave, pastrim i deponive të egra dhe krijim i hapësirave të gjelbra.
– Rinia, arsimi dhe ekonomia: themelimi i inkubatorëve për startup-e, Fondi Lokal i Inovacionit, rikonstruksioni i shkollave dhe pajisja me tabela inteligjente.
– Kultura dhe sporti: ringjallja e jetës kulturore në Çair, mbështetje për artistët dhe investime në infrastrukturë sportive.
“Programi ynë nuk është listë dëshirash, por plan konkret dhe i realizueshëm. Ndërsa të tjerët flasin, ne veprojmë”, tha Mexhiti.
Mexhiti u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë mision për “çlirim nga monopoli njëpartiak dhe thyerjen e sistemit të vjetër e të korruptuar”.
“Çairi nuk meriton udhëheqës të deleguar që zbatojnë agjenda politike të huaja. Çairi meriton punë, vizion dhe vepra konkrete”, tha ai, duke shtuar se dyert e komunës do të jenë të hapura për të gjithë, pa dallim partie apo etnie.
Në fund të fjalimit, kandidati i VLEN-it tha se kjo është një betejë e përbashkët për një Çair modern, funksional dhe evropian: “Është koha për punë, për rregull dhe për zhvillim! Është koha për Çairin!”.