Kredia shndërrohet në sherr mes bashkëshortëve – Burri rrah gruan, qytetarët filmojnë ngjarjen
Një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve për çështje financiare dhe nënshkrimin e një kredie dyshohet se ka përfunduar me dhunë fizike në rrugën “Adem Jashari” në Pejë. Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 19 nëntor, rreth orës 10:30, ndërsa në rast janë përfshirë një burrë rreth 25-vjeçar dhe bashkëshortja e tij rreth 20-vjeçe.
Sipas burimeve të Sinjalit, Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes pas një njoftimi për incident, por fillimisht çifti kishte deklaruar se nuk kishte asnjë problem. Megjithatë, zyrtarët policorë kishin vërejtur shenja të dukshme në fytyrën e gruas, për çka burri ishte arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Rasti mori një tjetër drejtim pasi Policia siguroi disa incizime nga qytetarët, në të cilat, sipas përshkrimit policor, shihet i dyshuari duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes.
Gjatë intervistimit, gruaja deklaroi se mosmarrëveshja kishte nisur për shkak të gjendjes financiare dhe nënshkrimit të një kredie, ndërsa përplasja verbale kishte përfunduar në dhunë fizike. Ajo tha se kjo ishte hera e parë që bashkëshorti kishte ushtruar dhunë ndaj saj.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit, ndërsa hetimet do të vazhdojnë.
Fotoja kryesore ilustrim