Sfida Fjuri-Usyk shtyhet për në maj, shkak është dëmtimi i Fjurit
Dueli i unifikimit të titujve kampionë bote në peshën e rëndë mes boksierit britanik Tajson Fjuri dhe atij ukrainas Oleksandr Usyk është shtyrë për në maj. Përballja u shty për shkak të një dëmtimi të boksierit britanik gjatë seancave stërvitore. Një lajm që befasoi të gjithë, pasi shtyrja vjen vetëm dy javë nga 17 shkurti, dita kur ishte planifikuar të zhvillohej dueli i madh, në Arabinë Saudite. Një sfidë që njihej me nofkën “Ring of Fire”.
Dueli do të zhvillohet në muajin maj, por nuk ka ende një datë të saktë se kur. Pasi u konfirmua shtyrja e sfidës, të dy boksierët u shfaqën në një transmetim të drejtpërdrejtë, nga vende të ndryshme. Ata konfirmuan se kishin rënë dakord për një datë të re për luftën, e cila do të zhvillohet ende në Riad. Fjuri u shfaq duke shpjeguar dëmtimin.
“Kam organizuar duele me nga 12 raunde me katër djem të ndryshëm. Në raundin e pestë mora një bërryl në sy. Pësova një të çarë dhe padyshim që kam qenë në spital dhe kam bërë 11 qepje. Ata kanë raportet mjekësore, kanë gjithçka. Askush nuk mund të bëjë asgjë për të marrë një prerje në “sparring” (stërvitje), por ndodh. Unë kurrë nuk kam pasur një të tillë më parë, hera e parë për gjithçka”, tha Fjuri.
Gjatë transmetimit, Fjuri shoqërohej nga organizatori i duelit, Turki Alashikh, kryetar i autoritetit të përgjithshëm argëtues të Arabisë Saudite. Ai konfirmua gjithashtu se dueli i 17 shkurtit është shtyrë, duke i dhënë fund spekulimeve se Usyk mund të luftojë me një kundërshtar tjetër.