Arsim, promovohet portali E-shkencë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës sot promovoi portalin e ri publik të e-shkencës (e-nauka.mon.gov.mk), i cili është një bazë të dhënash e vetme kombëtare elektronike për të gjithë studiuesit në vend. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vuri në dukje se portali ofron një pasqyrë të përgjithshme të studiuesve, organizatave kërkimore shkencore, si dhe statistika dhe tregues për punën e tyre. Mjeti është i lidhur edhe me bazat e të dhënave globale Web of Science, Scopus dhe Google Scholar, të cilat shfaqin rezultatet, citimet dhe h-indeksin.
Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës
“I inkurajoj të gjithë studiuesit nga universitetet shtetërore dhe private dhe institucionet e arsimit të lartë, nga institucionet shkencore publike dhe private, institutet shkencore dhe nga ASHAM, si dhe studiuesit e pavarur që punojnë në Maqedoni, por edhe studiuesit me origjinë maqedonase që punojnë në universitete të huaja, të plotësojnë një aplikim dhe të hyjnë në regjistrin elektronik të e-shkencës. Është një mjet transparent dhe gjithëpërfshirës për të zbuluar punën e tyre në skenën shkencore vendase dhe ndërkombëtare”.
Deri më tani, ajo bëri të ditur se në portal janë regjistruar 229 studiues, për të cilët shfaqen të dhëna mbi arsimin formal, punësimin, titullin shkencor, institucionin, fushën shkencore, si dhe rezultatet nga bazat e të dhënave shkencore globale. Platforma gjithashtu mundëson lidhjen e drejtpërdrejtë të shkencës me sektorin e biznesit dhe institucionet publike.
Janevska theksoi se fondet e alokuara për aktivitete kërkimore shkencore janë duke u rritur vazhdimisht, nga 380 milionë denarë në vitin 2024, mbi 680 milionë në vitin 2025, në 773 milionë denarë në buxhetin e këtij viti. Po zbatohen edhe projekte me interes kombëtar me vlerë mbi 370 milionë denarë, dhe poashtu thekson se është siguruar qasje falas në bazat e të dhënave Web of Science dhe Scopus për stafin.
Anida Murati /SHENJA/
