Mustafa Dauti: “Opozita po kërkon oksigjen politik, ndërsa VLEN po ndërton shtet”
Zv.drejtori i Drejtorisë së Doganave në RMV, Mustafa Dauti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të opozitës shqiptare, duke theksuar se skena politike aktuale po dëshmon qartë fundin e një epoke të partive të vjetra dhe fillimin e një faze të re nën udhëheqjen e VLEN-it.
Sipas Dautit, opozita është e kapluar nga paniku pas humbjeve të thella në zgjedhjet e fundit dhe ende përpiqet të gjejë hapësirë për të hyrë në qeveri, duke përdorur narrativën e viktimizimit për të fshehur dështimet e veta. Ai theksoi se “shqiptarët përfaqësohen nga ata që vetë shqiptarët kanë zgjedhur”, duke nënvizuar se qytetarët në zgjedhje votuan për ndryshim dhe për profesionalizmin që ofron koalicioni VLEN.
Dauti deklaroi se qeveria e re ka sjellë vendime konkrete dhe standarde të reja në institucione, duke u fokusuar tek qytetari dhe jo te interesat personale. Sipas tij, kjo është arsyeja pse kundërshtarët politikë janë të çoroditur dhe pa orientim.
Ai kritikoi ashpër edhe figura të caktuara politike që, sipas tij, lëvizin nga një parti në tjetrën për interesa personale, duke i quajtur politikanë të konsumuar, pa vizion dhe pa ndikim në skenën politike.
“Kush tradhton një herë, tradhton gjithmonë”, u shpreh Dauti, duke theksuar se qytetarët tashmë i kanë lexuar qartë këto veprime.
Sipas Dautit, retorika e opozitës për “demokraci të rrezikuar” apo “margjinalizim të shqiptarëve” është vetëm tentativë për të shmangur përgjegjësitë nga rezultatet e dobëta në zgjedhje. Ai tha se këto diskurse janë të konsumuara dhe nuk i beson më askush.
“Në kohën kur opozitarët kërkojnë oksigjen politik, VLEN po ndërton shtet”, tha Dauti, duke shtuar se epoka e arrogancës ka përfunduar dhe ka nisur epoka e përgjegjësisë.
Ai përfundoi duke theksuar se shqiptarët në zgjedhjet e fundit zgjodhën fundin e partive të vjetra dhe fillimin e një qasjeje të re në politikë – fillimin e VLEN-it.