Sulejmani: Tetova bëhet me Bibliotekë universitare
*Ministri Sulejmani jep lajmin e madh: Tetova bëhet me Bibliotekë universitare- mundësi më shumë për studentët dhe botën akademike!*
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për shndërrimin e Bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë në Bibliotekë universitare.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, i cili theksoi se ky vendim hap perspektiva të reja për studentët, profesorët dhe hulumtuesit, duke zgjeruar rolin e institucionit në mbështetjen e arsimit të lartë dhe zhvillimin e shkencës.
Sipas ministrit Sulejmani, shndërrimi i bibliotekës në një institucion me karakter universitar përbën një hap drejt forcimit të pozitës së Tetovës si qendër universitare, si dhe zhvillimit të mëtejshëm të shërbimeve të kësaj natyre për komunitetin akademik.
“Investimi në dije është investim në të ardhmen e brezave që vijnë”, thekson ministri Sulejmani, duke nënvizuar rëndësinë e vendimeve konkrete që krijojnë mundësi të reja për arsim, kërkim shkencor dhe zhvillim.
Me këtë vendim synohet që Biblioteka “Koço Racin” të ketë një rol më të gjerë në përmbushjen e nevojave të studentëve dhe studiuesve, duke kontribuar në avancimin e jetës akademike dhe kulturore në Tetovë.(INA)