Shkupjan “kreativ” mbulon targën me gjethe për ti shpëtuar kamerave të Safe City
Në Shkup po vazhdon faza testuese e projektit “Safe City”, ku kamerat inteligjente janë aktivizuar por gjatë këtij muaji do të shqiptojnë vetëm paralajmërime dhe jo gjoba. Megjithatë, një qytetar ka zgjedhur një mënyrë të pazakontë për t’u “mbrojtur” nga kamerat: ai ka mbuluar një pjesë të targës së veturës me gjethe, duke tentuar të pengojë leximin e numrit nga sistemet e reja të mbikëqyrjes.
Fotografia e veturës ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të ndryshme – nga talljet deri te diskutimet për privatësinë dhe funksionimin e kamerave të reja. Edhe pse sistemi është ende në fazë testimi, policia rikujton se manipulimi i targave është i ndaluar dhe i gjobitshëm, ndërsa projektet e sigurisë synojnë të rrisin rendin dhe sigurinë në komunikacion.
Në ditët në vijim priten analiza të detajuara të funksionalitetit të Safe City dhe informata të reja për hapat e ardhshëm./Shprehja