Raman: Nuk e mbështetëm buxhetin sepse nuk reflekton nevojat reale të qytetarëve të Butelit
Këshilltarja e koalicionit VLEN në Komunën e Butelit, Albesa Raman, ka bërë të ditur arsyet pse ky koalicion nuk e ka votuar buxhetin komunal, duke theksuar se ai nuk përfshin problemet dhe nevojat reale të qytetarëve që u kanë dhënë besimin me votë.
Sipas saj, buxheti nuk duhet të trajtohet si një dokument formal, por si pasqyrim i qartë i prioriteteve dhe i barazisë në një komunë. Ajo vlerëson se janë neglizhuar çështje thelbësore, si arsimi, çerdhet, përmirësimi i kushteve për fëmijët dhe trajtimi i barabartë i të gjithë banorëve.
“Në momentin kur anashkalohen këto tema jetike, heshtja do të thoshte bashkëfajësi”, ka deklaruar Raman, duke shtuar se përfaqësuesit e VLEN-it kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e qytetarëve dhe jo të statistikave apo deklaratave për media dhe rrjete sociale.
Ajo thekson se besimi i qytetarëve nuk fitohet me fjalë, por me vendime konkrete dhe veprime të drejta, ndërsa bën të qartë se përderisa buxheti nuk reflekton nevojat reale të të gjithë banorëve, pa dallim, koalicioni VLEN nuk do ta mbështesë atë.
“Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve dhe të kërkojmë një buxhet që u shërben realisht të gjithëve”, përfundon Raman.