Delegacioni i Kuvendit mori pjesë në Forumin parlamentar të grave në kuadër të Asamblesë parlamentare të Mesdheut
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga deputeti Sali Murati, shef i Delegacionit, dhe deputetet Dafina Stojanoska dhe Jovanka Trençevska, mori pjesë në Sesionin e Dytë të Forumit Parlamentar të Grave të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (APM), që po mbahet nga 26 deri më 27 janar në Këshillin Nacional Federal të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), në Abu Dabi, thuhet në kumtesën e pres-shërbimit të Kuvendit, të cilën MIA e transmeton integrale.
Sesioni i Dytë i Forumit Parlamentar të Grave të APM-së iu kushtua temave të mëposhtme: “Fuqizimi i grave në fushën ekonomike dhe politike”; “Rëndësia e mbështetjes së grave në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mjedisit jetësor”; “Roli i grave në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”, si dhe “Dhuna seksuale dhe e bazuar në gjini lidhur me terrorizmin”.
Në fjalimin e saj përshëndetës, kryetarja e Forumit Parlamentar të Grave, Marijam Bin Teneja nga EBA-ja, e theksoi se ky Forum është platformë për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në arritjen e qëllimit të përbashkët, që është forcimi dhe avancimi i pozicionit të grave.
Kryetarja e Këshillit Nacional Federal të EBA-së, Sakër Gobash, theksoi se gratë janë themeli i stabilitetit në një shoqëri dhe anëtare aktive në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme, prandaj ky Forum është me rëndësi të jashtëzakonshme.
Kryetari i Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, Xhulio Çentemero, theksoi se drejtësia sociale dhe prosperiteti i një shoqërie nuk mund të arrihen pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e plotë të grave në të gjitha proceset.
Në konferencë mori pjesë edhe kryetarja e Asamblesë Nacionale të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova, e cila informoi se si vend, kanë parashtruar kërkesë që Azerbajxhani të bëhet shtet vëzhgues në këtë organizatë.
Përveç deputetëve nga vendet anëtare të APM-së (vendet evropiane dhe mesdhetare, vendet nga Afrika e Veriut, Lindja e Afërt dhe vendet e Gjirit), morën pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave partnere të APM-së – Unioni Ndërparlamentar, si dhe përfaqësuesit e agjencive të caktuara të OKB-së.
Një debat i rëndësishëm u nxit nga qëndrimi i zëvendëskryetares së Dhomës së Poshtme të Mbretërisë së Bashkuar, Nusrat Gani, e cila shprehu dyshime në lidhje me kuotat si model për fuqizimin e grave. Megjithatë, e ndau qëndrimin me pjesëmarrësit e tjerë të Forumit se kuotat kanë pasur vërtet efekte pozitive, veçanërisht në vendet më pak të zhvilluara demokratikisht, ku është vërtet e vështirë për gratë në numër të konsiderueshëm të kenë një shans.
Në kuadër të diskutimit mbi fuqizimin e grave në fushën ekonomike dhe politike, deputetja Jovana Trençevska theksoi se kur gratë punojnë, ekonomia rritet, kur gratë janë lidere, qeverisja është më e mirë dhe më e drejtë. Ajo theksoi se progresi i Maqedonisë së Veriut në aspektin e barazisë gjinore është i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen tonë. Ajo informoi se si vend jemi liderë në rajon në aspektin e përfaqësimit të grave në parlament, i cili aktualisht është pothuajse 40 për qind. Trençevska theksoi se duhet të punojmë për të zvogëluar më tej hendekun midis burrave dhe grave, për kompensim të barabartë për punën, për mbështetjen e grave sipërmarrëse, si dhe për krijimin e një mjedisi politik të sigurt dhe gjithëpërfshirës.
Deputeti Sali Murati iu bashkua debatit kushtuar mbështetjes së grave në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mjedisit jetësor dhe theksoi se koncepti i procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut bazohet në tre parime të pandashme – barazia gjinore, përfshirja dhe ndërkulturaliteti. Ai informoi gjithashtu për masat në fushën e shëndetësisë që mbështesin gratë, siç janë ekipet e lëvizshme, pushimi i lindjes dhe monitorimi në distancë i pacientëve.
Lidhur me çështjen e rolit të grave në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin dhe shtypjen e ekstremizmit të dhunshëm, deputeti Murati theksoi se gratë kanë rol të rëndësishëm në fushën e parandalimit. Ai informoi se në Maqedoninë e Veriut numri i grave në Armatë është rritur në 12 për qind, dhe numri i oficereve femra është 21,6 për qind.
Lidhur me dhunën seksuale dhe dhunën e bazuar në gjini që lidhet me terrorizmin, Trençevska theksoi se nuk ka raste të drejtpërdrejta të dhunës të bazuar në gjini që lidhet me terrorizmin në Maqedoninë e Veriut, por dhuna e bazuar në gjini është sfidë serioze. Ky lloj dhune, shtoi ajo, është sfidë serioze dhe komplekse, si dhe çështje serioze e të drejtave të njeriut. Përballimi i dhunës seksuale dhe dhunës së bazuar në gjini nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe çështje paqeje, stabiliteti dhe sigurie.