(VIDEO) Euroambasadori rikujton se RMV mori notën “pa përparim”
Forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nga prioritetet më të larta shtetërore dhe një parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione. Kështu tha Ministri i Drejtësisë në konferencën “Forcimi i Efikasitetit dhe Pavarësisë së Gjyqësorit në Maqedoni”.
Igor Filkov, ministër i Drejtësisë
“Ky është një moment kritik dhe vendimtar për sistemin e drejtësisë. Ne duhet ta perceptojmë situatën qartë dhe me objektivitet, sepse vetëm përmes një vlerësimi të saktë mund të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme”.
Euroambasadori Mihalis Rokas, kujtoi se në raportin e Komisionit Evropian, gjyqësori mori vlerësim “pa përparim” dhe se niveli i pajtueshmërisë me BE-në është “i moderuar”.
Mihalis Rokas, ambasador i BE-së
“Në vend kanë ndodhur një seri prolongimesh në implementimin e reformave. Në konceptin e ri për Planin për Rritje, BE nuk është donator, por ‘investitor’ në sundimin e ligjit, sepse paratë lidhen me rezultatet”.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, u ankua se gjykatësit nuk janë konsultuar kur janë miratuar ligjet që i tangojnë ata, duke përmendur Ligjin për Këshillin Gjyqësor.
Afrim Fidani, kryetar i Gjykatës Supreme
“Kushtetuta ofron garanci normative për pavarësinë e gjyqtarëve dhe se ajo forcohet kur proceset janë të qarta, të matshme dhe zbatohen në mënyrë të drejtë, domethënë, nëse gjyqtarët i përmbahen ligjit dhe kanë standarde të larta etike, nuk do të ketë vend për ndikim politik”.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, tha se në shumicën e vendeve evropiane, gjyqësori ka fuqinë e vërtetë për të planifikuar dhe punësuar, pa pritur pëlqimin e Qeverisë.
Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor
“Gjyqësor me mungesë personeli, i ngarkuar në mënyrë të pabarabartë organizative dhe i kufizuar financiarisht, vështirë se mund të jetë vërtetë i pavarur. Ndërsa gjyqsor pa standarde të qarta të përgjegjësisë, vështirë se mund të jetë efikas”.
Sipas analizës së projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, mungesa e gjykatësve dhe personelit gjyqësor vlerësohet si problemi më kritik në gjyqësor, me tendencën që çdo vit të përkeqësohet. Maqedonia e Veriut funksionon me numër dyfish më të vogël të gjykatësve për kokë banori. Numri i pozicioneve gjyqësore, sipas sitematizimit të bërë në vitin 2015, duhet të jetë 636, kurse në fund të vitit të kaluar ka pasur 431 gjykatës.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/