Kryeparlamentari Gashi takon drejtuesit e IRI-it në Uashington
Në kuadër të vizitës së tij në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi një takim me Kryetarin e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), Daniel Twining, si dhe me Drejtorin Rajonal për Europën dhe Euroazinë, Stephen Nix.
Gjatë takimit, Kryetari Gashi diskutoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe IRI-it, duke theksuar rëndësinë e dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të IRI-it në forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe avancimin e standardeve demokratike, duke nënvizuar kontributin e çmuar të këtij institucioni në zhvillimin e kulturës politike përmes programeve të ndryshme. Sipas tij, ky partneritet paraqet një element kyç për zhvillimin institucional dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.