Osmani nga Capitol Hill: Përmes Gjykatës Kushtetuese të RMV-së po minohet Marrëveshja e Ohrit dhe rrezikohet stabilitet i Ballkanit Perëndimor
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka mbajtur fjalim në Capitol Hill.
Osmani gjatë fjalimit të tij ka ngritur alarmin për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se përpjekjet për të minuar marrëveshjet që kanë garantuar stabilitetin në rajon përfshirë Marrëveshjen e Ohrit përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e përgjithshme.
Ai tha se sot presioni nuk ushtrohet më vetëm me mjete ushtarake, por përmes narrativave politike dhe institucioneve, duke përmendur konkretisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut si pjesë e një klime që mund të çojë drejt destabilizimit.
Ja dhe fjalimi i tij i plotë:
Kur filloi agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, unë shërbeja si Ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe si Kryesues i OSBE-së.
Ishte gjithashtu periudha kur vendi im u anëtarësua në NATO dhe nisi Dialogun Strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Pra, ne po merreshim me sigurinë nga tre këndvështrime njëkohësisht:
kombëtar, rajonal dhe kontinental.
Ajo që u bë shumë shpejt e qartë ishte nëninvestimi i theksuar në siguri, veçanërisht në Evropë, por edhe ideja e gabuar se siguria sot matet vetëm me sa shpenzojmë.
Siguria nuk është më vetëm çështje buxheti.
Ajo ka të bëjë me mënyrën se si lidhemi, si lëvizim dhe si harmonizohemi politikisht.
Pjesë të ndryshme të Evropës reaguan shumë ndryshe nën presion.
Disa ishin të integruara.
Disa mbetën të fragmentuara.
Dhe aty ku ka fragmentim, aty hyn ndikimi.
Pikërisht për këtë arsye ne nisëm Iniciativën e Korridorit 8 — duke bashkuar Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Italinë përgjatë krahut jugor të NATO-s.
Jo si projekt infrastrukture, por si projekt sigurie.
Sepse parandalimi nuk është i besueshëm nëse forcat, energjia dhe zinxhirët e furnizimit nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër territorin e aleatëve.
Në të njëjtën kohë, pamë edhe diçka tjetër.
Për dekada me radhë, marrëveshje si Dejtoni dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit formuan vijën jugore të stabilitetit në Ballkan.
Ato ishin të papërsosura, por mbronin shtetet multietnike dhe pengonin që kufijtë të shndërroheshin në vija fronti.
Sot, kjo vijë po vihet sërish nën presion — jo kryesisht me tanke, por me narrativa dhe me institucione, siç është Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.
Nëse sot mbyllim sytë para përpjekjeve për të minuar marrëveshjet e stabilitetit dhe të integrimit të brendshëm dhe të jashtëm, nesër do t’i hapim sytë në një realitet të ri të paqëndrueshmërisë dhe të shpërbërjes.
Kjo duhet të ndalet sot, që nesër të mos na përsëritet historia që e kemi përjetuar dje.
Prandaj, po bëj tri pika të shkurtra.
Së pari, Ballkani Perëndimor nuk është më vetëm një rajon pas-konflikti.
Ai është pjesë e hapësirës së konkurrencës strategjike.
Së dyti, integrimi dhe bashkëpunimi rajonal janë mënyra se si përpjekjet kombëtare për mbrojtje shndërrohen në fuqi kolektive.
Pa to, edhe shpenzimet më të larta nuk do të prodhojnë siguri reale.
Së treti, infrastruktura është bërë pjesë e parandalimit.
Korridoret, lidhjet energjetike dhe rrjetet digjitale tashmë përcaktojnë se kush varet nga kush dhe kush mund të reagojë i pari në një krizë.
Dhe përfundimi im është i thjeshtë.
Nëse Ballkanin e trajtojmë vetëm si një hapësirë për të menaxhuar paqëndrueshmërinë, gjithmonë do të mbërrijmë vonë.
Nëse e trajtojmë si një hapësirë investimi strategjik, mund ta ankorojmë fort në rendin euroatlantik.
Ky është mësimi nga përvoja jonë.