Kusari e konfirmon se do të jetë ministre e Tregtisë: Konjufca ministër i Jashtëm, Haxhiu kryetare e Kuvendit
Ndryshimet në qeverinë Kurti 3 s’e prekin Kusari-Lilën, Konjufcën e Haxhiun
Ndryshimet e paralajmëruara në kabinetin e qeverisë Kurti 3 nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk e kanë prekur deputeten e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Kusari-Lila ka thënë se nesër pas seancës konstituive të Kuvendit, në atë të formimit të Qeverisë është e propozuar si ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë.
“Jam e propozuar dhe nesër do të jem e propozuar për të njëjtin dikaster (ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë), është pozicion që unë për herë të parë e kam pasur para 15 vjetëve dhe e kam ushtruar për dy vjet e gjysmë derisa kam dhënë dorëheqje për të kandiduar si e para e Komunës së Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila.
“Ka qenë i propozuar për zv.kryeministër të parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe besoj se edhe nesër do të vazhdojë të jetë. Megjithatë kjo do të duhej të ishte prezantim i Kurtit, kryeministrit i cili e prezanton kabinetin e tij”, ka konfirmuar Kusari-Lila.
Kusari-Lila është shprehur se nesër do të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe në një seancë tjetër pas asaj konstituive do të votohet formimi i qeverisë Kurti 3. Ajo ka deklaruar se e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës vazhdon të jetë Albulena Haxhiu.
“Nesër do të konstituohet Kuvendi, do të zgjedhet kryetarja e Kuvendit, pastaj kryesia e Kuvendit dhe do të hyjmë në një seancë tjetër ku do të votojmë Qeverinë Kurti 3. Ky është plani, që data 11 shkurt Republikës së Kosovës t’ia jap Kuvendin me legjislaturën e dhjetë dhe qeverinë Kurti 3 me mandatin katër vjeçar. Besoj që nuk ka dyshime që Albulena Haxhiu do të jetë kryetare e ardhshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila në emisionin “Interaktiv” në KTV.