Presidenti Bajram Begaj në vizitë zyrtare në Tetovë, Gostivar dhe Dibër
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë sot në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.
Vizita në Tetovë do të nisë në ambientet e Komunës, ku Presidenti Begaj do të pritet nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Më pas, ai do të vijojë në këmbë drejt Shkollës Fillore “Liria”, ku është paraparë një program artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës dhe SHKA “Xheladin Zeqiri”, me këngë dhe valle tradicionale shqiptare.
Sipas agjendës zyrtare, vizita e Presidentit Begaj do të vazhdojë më tej në qytetin e Gostivarit dhe të Dibrës.
Kujtojmë se më herët, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Presidenti Begaj e nisi qëndrimin e tij në Komunën e Çairit, për të vijuar më pas edhe në Komunën e Çashkës. /SHENJA/