Aksident tragjik, ndron jetë rekordmeni botëror i maratonës Kelvin Kiptum
Rekordmeni botëror i maratonës për meshkuj, Kelvin Kiptum nga Kenia ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e tij. 24 vjeçari u aksidentua së bashku me trajnerin e tij, Gervais Hakizimana nga Ruanda, pasi humbi kontrollin e automjetit gjatë vozitjes në Kaptagat.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar kur mësuam për humbjen e Kelvin Kiptum dhe trajnerit të tij, Gervais Hakizimana. Në emër të të gjithë Atletikës Botërore, ne u dërgojmë ngushëllimet tona familjeve, miqve, shokëve të skuadrës dhe kombit kenian. Ishte vetëm në fillim të kësaj jave në Çikago, vendi ku Kelvin vendosi rekordin e tij të jashtëzakonshëm botëror në maratonë, që unë munda të ratifikoja zyrtarisht kohën e tij historike. Një atlet i jashtëzakonshëm që lë një trashëgimi të pabesueshme, do të na mungojë shumë, ” ka reaguar presidenti i Atletikës Botërore, Sebastian Koe përmes rrjeteve sociale.
Rekordi botëror I Kiptum në maratonën ishte 2 orë e 35 sekonda, i vendosur në Maratonën e Çikagos, në tetor të vitit të kaluar dhe i njëjti u ratifikua vetëm disa ditë më parë nga “World Athletics”.
24 vjeçari kishte kaluar vetëm në vrapimin e maratonës nga garat me distanca më të shkurtra një vit përpara se të vendoste atë ritëm rekord. Ai gjithashtu kishte njoftuar së fundmi planet për t’u bërë atleti i parë që do të vrapojë një maratonë zyrtare, në më pak se dy orë, në Roterdam në muajin prill./abcnews/