Ish-drejtoresha e Onkologjisë, Klisarovska dëshmoi për mungesë të këshillit dhe vendimeve kolektive për terapi në “Onkologjia 2”
Mungesa e takimeve të mëngjesit, mungesa e vendimmarrjes në grup për terapinë dhe protokollet jo të abdejtuara ishin disa nga mangësitë që ish-drejtoresha e përkohshme e Klinikës së Onkologjisë, Violeta Klisarovska, i paraqiti në gjyqin për rastin “Onkologjia 2”. Ajo tregoi se me emërimin e saj kishte gjetur borxhe, pagesa të pabarabarta ndaj furnizuesve dhe seanca gjyqësore, si dhe vonesë në prokurimin e terapisë që çoi në rrezikun e ndërprerjes së trajtimit. Klisarovska dëshmoi se u përpoq t’i kapërcejë këto gjendje duke futur një këshill onkologjik, analiza sistemike dhe punë transparente.
“Kolegiumi profesional është forca lëvizëse e një organizate shëndetësore, ndërsa drejtori është ai që duhet të sigurojë të gjitha kushtet për funksionimin e saj, dëshmoi ajo.
Klisarovska e ka marrë pozicionin e drejtoreshës së përkohshme më 2 nëntor të vitit 2022, ndërsa është shkarkuar më 27 shkurt të vitit 2024 për shkak të skadimit të zgjatjes së afatit. Ajo është e punësuar në klinikë që nga viti 2002, ndërsa që nga viti 2007 është specialiste në radioterapi dhe onkologji. Ajo ishte gjithashtu menaxhere.
Ajo para gjykatës shpjegoi se kur mori përsipër pozicionin, kishte vërejtur mungesë të takimeve të mëngjesit dhe informacion të pamjaftueshëm për kolegiumin profesional.
Në dëshminë e saj, ajo tregoi se përshkrimi i terapisë më parë ishte individual, gjë që e konsideronte problematike. Prandaj, ajo inicioi formimin e një këshilli onkologjik, për herë të parë në klinikë, me qëllim vendimmarrjen në grup për përshkrimin e terapisë.
Në vazhdim ajo foli për gjendjen financiare të klinikës, duke vënë në dukje se hasi në borxhe që filluan të grumbulloheshin intensivisht në vitet 2021 dhe 2022.
“Për disa barna, pati tejkalime serioze të shifrave, për të cilat kërkova menjëherë konsultime me FSSHM-në, në mënyrë që të gjendej një zgjidhje për problemin pa përjashtuar pacientët, megjithatë si institucion të mund të ishim sa më afër miratimeve”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se këshilli i Onkologjisë jepte rregullisht informacion në lidhje me barnat, sasitë dhe vlerësimet për muajt në vijim dhe çdo tre deri në katër muaj i dorëzonte FSSHM-së tabela specifike me numrin e pacientëve për ilaç.
Gjykimi vazhdon më 10 mars me dëgjimin e dëshmitarëve me kërkesë të Prokurorisë.
Në rastin “Onkologjia 2”, Vasev dhe Nuhi akuzohen për blerje të paligjshme të ilaçeve, fshehjen e tyre përmes tenderëve fiktivë dhe përvetësimin e një pjese të terapisë midis viteve 2018 dhe 2022, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me pothuajse 36 milionë euro. Të dy të pandehurit mohojnë fajësinë e tyre dhe pretendojnë se procesi është i motivuar politikisht.
Përveç këtij rasti, në vazhdim është edhe procedura “Onkologjia 1”, në të cilën Vasev dhe dy mjekë të tjerë akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve.