(VIDEO) Debat në Shenja, Ekspertët: Ulja e tvsh-së për naftën nuk sjell lehtësim real
MARKETING

Në emisionin “Debat në Shenja”, java ka filluar me dy lajme që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Nga njëra anë, vendimi i Qeverisë që ka ndërmarë masa për uljen e TVSH-së nga 18% në 10% për derivatet e naftës, ndërsa nga ana tjetër ky vendim rezulton të jetë kontradiktor, sepse qytetarët janë përballur sërish me rritje të çmimeve të po të njëjtave. Viti 2026 ka filluar me një deficit buxhetor, pothuajse prej 700 milion eurosh, ndërsa inflacioni dhe borxhi publik mbeten sfida të rëndësishme. Pikërisht për të gjitha këto zhvillime dhe për të kuptuar se ku po shkon ekonomia e vendit, në studio ishin të ftuar dy njohës të çështjeve ekonomike, Abil Baush dhe Faton Halili.
Ekonomisti, Faton Halili e ka cilësuar të pamjaftueshme masën për zvogëlimin e TVSH-së për derivatet e naftës. Ai u shpreh se kjo masë nga qeveria po përdoret më shumë si instrument politik sesa si një ndërhyrje efektive ekonomike.
FATON HALILI, EKONOMIST
“Kjo masë nuk është e bollshme. Kjo masë po shfrytëzohet nga pushteti si instrument politik se sa si instrument ekonomik. Jo vetëm kjo masë, por të gjitha masat edhe më herët kur kemi pasë kësilloj krizash, qoftë në kohën e pandemisë, por edhe në kohën e invazionit që ndodhi mes Rusisë dhe Ukrainës, qytetarët realisht nuk kanë ndjerë lehtësime deri tek mbushja e xhepit të tyre apo përmirësimin e standartit jetësorë”.
Tutje ai vlerëson se institucionet dhe qasja e shtetit nuk po arrijnë të ndjekin dinamikën e vendeve të tjera të rajonit, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë.
Ndërsa Baush theksoi se huamarrja duhet të orientohet drejt investimeve kapitale që prodhojnë zhvillim afatgjatë.
ABIL BAUSH, EKONOMIST
“Nëse huatë e tua i merr për investime, në shpenzime operative të tipit pensione, paga dhe gjëra të tjera, domethëne ti nuk ke gjenerim të ekonomisë. Ja shifni. Ne kemi disa investime kapitale, që na ndodhin në vendin tonë dhe është ndalë puna. Korridori 8 unë sa e di ngec. Nëse ty të përgjysmohet puna, kjo është informata, përgjysmohet edhe arritja e dedlinet, tajmingut të përfundimit, të vitit 2029. Leje që do të paguajmë penalti, por ekonomia e vendit, stagnon”.
Halili shtoi se në të kaluarën Maqedonia e Veriut konsiderohej në një nivel të krahasueshëm me vende si Sllovenia dhe Kroacia, duke përfituar nga trashëgimia e ish-Jugosllavisë, ndërsa sot ka mbetur e fundit në rajon.
Anida Murati /SHENJA/