Andonovski: Po hapim një Qendër qeveritare për incidentet kibernetike
Qeveria po investon në përforcimin e sigurisë kibernetike duke krijuar një qendër të re për reagim ndaj incidenteve kibernetike, paralajmëroi Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski.
MARKETING

Në emisionin e mbrëmshëm në Klik Plus në TV21, ai informoi se për këtë projekt janë siguruar mjete financiare të konsiderueshme, disa prej tyre nga Bashkimi Evropian.
“Kemi investuar 1.5 milion euro nga mjetet e BE-së dhe mjetet tona për të hapur një Qendër qeveritare për reagim ndaj incidenteve kibernetike, të cilën do ta hapim… Do të duhet të shohim realisht se çfarë po ndodh në sigurinë kibernetike”, tha Andonovski.
Me këtë qendër, siç shpjegoi ai, institucionet do të kenë një kapacitet më të mirë për t’u përballur me kërcënimet dhe incidentet kibernetike, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta dhe të sofistikuara vitet e fundit.
“Ndryshimet në ekonominë globale dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po krijojnë presion serioz ndaj sektorit vendas të TI-së, i cili nuk po rritet më siç ka ndodhur vitet e fundit, vlerësoi ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski.
Ai potencoi se sektori privat i TI-së ka ulur ndjeshëm ritmin e punësimit, për dallim nga periudha 2021–2023.
“Inteligjenca artificiale, mbyllja e tregjeve të caktuara në Evropën Perëndimore po ushtrojnë presion mbi sektorin privat, sektori privat vendas i TI-së nuk po punëson si në vitet 21, 22, 23… Të ardhurat ose po ulen ose po stagnojnë, dhe njerëzit të cilët nuk kanë një punë tashmë po ulen në pagën minimale… Por tani tashmë ka presion në tregun e punës, interesi për të gjetur një punë në administratën shtetërore po rritet”, deklaroi Andonovski.
Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me rëndësinë e sesionit të dytë të Dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Uashington, ndërsa në të cilin ai do të jetë pjesë e delegacionit të Maqedonisë, ministri theksoi se ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm diplomatik dhe strategjik për vendin.
“Ne do të jemi i vetmi vend evropian i cili këtë vit do të zhvillojë një sesion të dytë të Dialogut strategjik. Mund të them se tashmë kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushat që unë mbuloj, ndërsa ato janë dixhitalizimi dhe siguria kibernetike. Gjatë vizitës sime në janar, në nivelin më të lartë në Departamentin e Shtetit, diskutuam çështje lidhur me bashkëpunimin me Maqedoninë, sfidat në sigurinë kibernetike, infrastrukturën dixhitale dhe shkëmbimin e informacionit për rreziqet e mundshme në hapësirën kibernetike. Pres që ky Dialog strategjik të japë pika specifike që do të përmirësojnë mundësitë për qytetarët e Maqedonisë, për ekonominë e Maqedonisë, si dhe për bashkëpunimin midis institucioneve, me përfitime shumë konkrete për të dyja palët”, deklaroi Andonovski.
Potencoi se sulmet kibernetike sot po përdoren gjithnjë e më shumë si një mjet për të zhvilluar luftë asimetrike, si nga aktorët shtetërorë ashtu edhe nga ata jo-shtetërorë. Kjo, siç tha, do të thotë sulme të synuara në hapësirën kibernetike kundër infrastrukturës kritike, e cila përfshin jo vetëm infrastrukturën civile, por edhe kujdesin shëndetësor, arsimin dhe fusha të tjera kyçe.