ASH: Projekt-ligji i Karakamishevës, goditje ndaj barazisë etnike
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër ndaj propozim-ligjit të hartuar nga Tanja Karakamisheva, duke e cilësuar atë si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
MARKETING

Në komunikatën e saj, ASH thekson se ky nuk është një ligj reformues, por një projekt që synon, siç thuhet, “çmontimin e barazisë”. Sipas tyre, heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në proceset e punësimit dhe avancimit, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar.
Partia opozitare paralajmëron se ky propozim mund të rikthejë një realitet të papranueshëm për shqiptarët në vend.
ASH gjithashtu thekson se tërheqja e një profesori shqiptar nga grupi punues, i cili e ka cilësuar procesin si të dirigjuar, përbën dëshmi se ligji nuk buron nga nevoja për reforma, por nga një agjendë e parapërcaktuar politike.
Në reagim, Aleanca për Shqiptarët kritikon edhe koalicionin VLEN, duke e akuzuar se është rreshtuar në mbështetje të këtij projekti dhe, sipas tyre, po bëhet bashkëpërgjegjës për pasojat që mund të cenojnë të drejtat e shqiptarëve.
Në fund, ASH kërkon tërheqjen e menjëhershme të propozim-ligjit dhe nisjen e një procesi gjithëpërfshirës e transparent, në përputhje me parimet kushtetuese dhe standardet evropiane për përfaqësim të drejtë.
Partia thekson se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe do të kundërshtojë çdo përpjekje për cenimin e tyre.