Dogana e Kosovës zbulon mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera mbi 10 mijë euro
Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 10 mijë e 300 eurosh gjatë kontrollit të një dërgese në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë, gjatë procedurave të zhdoganimit të mallrave, zyrtarët doganorë kanë identifikuar parregullsi në sasinë e mallrave të deklaruara.
Bazuar në analizën e riskut, dërgesa është selektuar për kontroll fizik. Pas verifikimit të dokumentacionit përcjellës, zyrtarët doganorë kanë vazhduar me kontrollin fizik të mallrave, me qëllim të verifikimit të përputhshmërisë ndërmjet deklarimit doganor dhe gjendjes faktike, përfshirë përshkrimin dhe sasinë e mallrave.
Gjatë kontrollit fizik janë konstatuar mospërputhje në sasinë e mallrave, përkatësisht mallra të padeklaruara, vlera e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10,300 euro.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, parandalimin e parregullsive doganore dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.