Siljanovska-Davkova në samitin në Jerevan: Lidhja energjetike dhe infrastrukturore janë çelësi për Evropë stabile dhe të sigurt
Presidentja Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Jerevan të Armenisë, mbajti sot një fjalim në tryezën e rrumbullakët me temën “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.
Ajo theksoi se konfliktet globale dhe paqëndrueshmëria në sektorin e energjisë po krijojnë rreziqe serioze për stabilitetin energjetik, duke i bërë veçanërisht të cenueshme shtetet e vogla.
Sipas Siljanovska-Davkovës, lidhshmëria energjetike nuk duhet parë vetëm si çështje ekonomike, por edhe si prioritet i rëndësishëm për sigurinë kombëtare, rajonale dhe evropiane.
Ajo vlerësoi se pengesat kryesore për avancimin e lidhshmërisë energjetike në Ballkanin Perëndimor nuk janë të natyrës teknike, por politike. Sipas saj, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe keqpërdorimi i vetos dëmtojnë më shumë bashkëpunimin rajonal sesa mungesa e infrastrukturës.
“Çdo proces integrimi i ngrirë nënkupton investime të ngrira dhe një të ardhme të ngrirë,” u shpreh Presidentja.