(VIDEO) Studentët nuk dorëzohen, sërish protestojnë më 18 maj
Studentët shqiptarë më 18 maj do të jenë përsëri në rrugë për të përsëritur kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
I pyetur nga TV Shenja lidhur me protestat studentore, kryeministri Hristijan Mickoski kërkoi durim, duke deklaruar se ka forca politike që protestat jo vetëm i mbështesin, por edhe i shfrytëzojnë për interesa të tyre politike. Ai akuzoi se të njëjtat struktura për më shumë se 20 vite nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për zgjidhjen e këtij problemi.
Megjithatë, Mickoski tha se Qeveria është duke punuar për një zgjidhje të qëndrueshme, të bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venedikut, duke theksuar se synimi është një zgjidhje që do të jetë e pranueshme dhe e drejtë për të gjitha palët.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Jam i bindur se shumë shpejtë do të dalim me propozim vendim për zgjidhje të problemit. Jam i bindur gjithashtu se kjo zgjidhje do të jetë e përgatitur në bazë të rekomandimeve të komisionit të Venedikut dhe në bazë të standardeve ndërkombëtare. I lus të gjithë ata që janë pjesë e këtij procesi të jenë të durueshëm sepse në vend ka forca politike që, nuk duan që vendi të jetë i përparuar, i zhvilluar dhe vend në të cilin ka reforma. Por më shumë duan që në vendin tonë të ketë konflikte, protesta”.
Kjo është protesta e dytë studentore me kërkesë që provimi i jurisprudencës të mbahet në shqip. E para ishte më 6 prill të këtij viti. Organizatorët e kësaj proteste janë grup studentësh të cilët veçmë kanë filluar përgatitjet për protestën e re.
Mevludin Imeri /SHENJA/