Musliu: Le ta dijë Kurti se edhe Millosheviqi luftën e nisi në Drenicë, por ajo kurrë nuk u nënshtrua
Ish-deputetja Ganimete Musliu e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “rrethimin” e Skenderajt me forca speciale policore.
Musliu, e cila u gjend në ballë të presionit qytetar pas shtimit të forcave policore në Skenderaj të enjten në mbrëmje, krahasoi veprimet e Kurtit me ato të ish-kriminelit serb të luftës, Sllobodan Millosheviq.
“Dëshpërimi është në kulm, ndërsa zhgënjimi bëhet i pashmangshëm kur sheh se si një njësi elitare si NjSO, në mes të natës, e rrethon Skenderajn me policë të maskuar dhe me armë të gjata… Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin”, ka shkruar Musliu në një shkrim në Facebook.
Ish-deptetja ka publikuar video nga Drenica ku janë parë forca të Njësisë Speciale, derisa i ka quajtur pamje të rënda skenat e mbrëmshme.
Postimi i plotë:
Ka momente kur fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar dhimbjen, zemërimin dhe zhgënjimin që ndjen. Ajo që pashë sonte në Skenderaj nuk ishte thjesht një aksion policor, ishte një pamje e rëndë, e papranueshme dhe e pafalshme për çdo qytetar që e njeh historinë dhe plagët e këtij vendi.
Dëshpërimi është në kulm, ndërsa zhgënjimi bëhet i pashmangshëm kur sheh se si një njësi elitare si NjSO, në mes të natës, e rrethon Skenderajn me policë të maskuar dhe me armë të gjata. Sinqerisht, kurrë nuk kam besuar se do ta shihja një pamje të tillë. Pamje që godasin rëndë dhe na e kthejnë kujtesën tek skenat që mendonim se i kishim lënë përgjithmonë pas, në vitin 1999.
Në mungesë të projekteve të realizuara, ideve për zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët, Albin Kurti ka zgjedhur të krijojë tensione e përçarje, duke përdorur tërë aparatin shtetëror për ta frikësuar, denigruar dhe poshtëruar popullin liridashës të Drenicës. Por, përkundër gjithë këtij presioni, qytetarët e Skenderajt dhe të Drenicës treguan sonte maturi, dinjitet dhe vetëpërmbajtje. Për këtë, meritojnë respekt dhe falënderim të veçantë.
Le ta dijë Albin Kurti se edhe Millosheviqi luftën e kishte nisur në Drenicë. E megjithatë, Drenica historikisht asnjëherë nuk u nënshtrua, asnjëherë nuk u frikësua dhe kurrë nuk e duroi poshtërimin.
Secili që ia ka mësyrë Drenicës është kthyer i turpëruar prej saj. Edhe sonte, Drenica qëndroi me dinjitet.