(VIDEO) Mickoski takon bashkëkryetarët e VLEN-it
Paralajmërimi i studentëve për protestën e dytë, mblodhi në një tryezë dy bashkëkryetarët e VLEN-it Izet Mexhitin e Bilall Kasamin me kryeministrin Hristijan Mickoski, për të diskutuar për çështjen e provimit të jurisprudencës. Në një njoftim me shkrim nga Qeveria njoftuan se në takim është theksuar se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të matur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që do të nënkuptojnë progres, besim të ndërsjellë dhe rrugëtim të përbashkët drejt ardhmërisë.
Qeveria e RMV-së
“Institucionet punojnë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”.
Një ditë para protestës së paralajmëruar nga studentët bashkëkryetarët e VLEN-it, shkruan statuse të shkurta në facebook, se së shpejti presin lajme të mira, që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në shqip.
Pas deklaratave të pushtetit reagoi Bujar Osmani, nga BDI. Ai tha se këtë çështje në duar e kanë studentët.
Mijëra studentë, profesorë dhe qytetarë shqiptarë më 6 prill 2026 protestuan në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj.
Edhe pas protestës, nga Ministria e Drejtësisë vazhduan të insistojnë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.
Edhe pas protestës së parë, pati premtime se kjo çështje do të zgjidhej. Ndërsa protestën e studentëve, pushteti e quajti politike, sepse në protestë pati shumë përfaqësues dhe simpatizantë të partisë më të madhe shqiptarë në opozitë.
Emine Ismaili /SHENJA/