Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton huamarrjen prej 260 milionë eurosh për buxhetin dhe projektet kapitale
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot ligjin për huamarrje në vlerë prej 260 milionë eurosh për nevojat e buxhetit të përgjithshëm, me 65 vota “pro”, 14 “kundër” dhe asnjë “abstenim”.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, deklaroi se mjetet nga kredia do të përdoren për financimin e projekteve infrastrukturore kapitale, mbulimin e nevojave buxhetore dhe shlyerjen e detyrimeve të vjetra, përfshirë eurobondin prej 700 milionë eurosh të marrë në vitin 2020.
Sipas marrëveshjes, norma e interesit do të jetë e ndryshueshme, e bazuar në EURIBOR gjashtëmujor plus 2.1 për qind. Huaja do të sigurohet nga bankat “KfW IPEX Bank GmbH”, “Banco Bilbao Vizcaya Argentaria”, “Erste Group Bank AG”, “AKA Ausführkredit-Gesellschaft mbH” dhe “Merrill Lynch International”.
Kredia do të tërhiqet në një këst, ndërsa periudha e shlyerjes është paraparë të zgjasë shtatë vjet, në nëntë këste të barabarta gjysmëvjetore, duke përfshirë edhe një periudhë mospagimi prej tre vjetësh.
Po ashtu, shteti do të paguajë një komision të njëhershëm prej 1.4 për qind të shumës së kredisë, si dhe një tarifë vjetore prej 12.500 eurosh për agjentin e huadhënësve.
