Dimitrov: Ndryshimet në Kornizën Negociuese nuk mund të bëhen pa Bullgarinë
Ish-ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, tha se çdo ndryshim në Kornizën Negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian duhet të miratohet nga të gjitha 27 vendet anëtare, përfshirë edhe Bullgarinë.
Sipas tij, edhe nëse shumica e vendeve të BE-së e mbështesin Shkupin, pa pëlqimin e Sofjes nuk mund të ketë vendim të ri. Dimitrov vlerësoi se vendi duhet të kërkojë mënyra për të mbrojtur interesat e veta përmes zgjidhjeve ligjore dhe kushtetuese.
Ai paralajmëroi se ende ekzistojnë çështje të hapura me Bullgarinë që mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian.
Dimitrov theksoi se situata aktuale nuk i sjell dobi askujt, pasi Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugën drejt BE-së. Ai bëri thirrje që institucionet të jenë më aktive dhe të propozojnë zgjidhje konkrete për tejkalimin e pengesave në procesin eurointegrues.
