Pas 12 vitesh, Maqedonia e Veriut dhe Turqia rikthejnë në nivel të lartë dialogun për transportin rrugor
Në Ministrinë e Transportit të Maqedonisë së Veriut u mbajt mbledhja e Komitetit të Përbashkët për Transportin Rrugor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, duke shënuar rikthimin e dialogut institucional në këtë format pas më shumë se 12 vitesh, njoftojnë nga ministria, transmeton Anadolu.
Delegacioni i Republikës së Turqisë u kryesua nga zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Dumus Unuvar dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Organizatës për Shërbime Transporti të Turqisë, Hasan Boz, të shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve kompetente turke.
Nga ana e Maqedonisë së Veriut, takimi u kryesua nga zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me përfaqësues të sektorëve dhe njësive kompetente për transportin rrugor, transportin e mallrave dhe transportin e udhëtarëve.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, të dyja palët diskutuan për zhvillimet në sektorin e transportit rrugor, bashkëpunimin bilateral, nevojat e transportuesve dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të lidhjeve transportuese dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.
“Rezultati më i rëndësishëm i takimit ishte nënshkrimi i protokollit të ri për transportin rrugor, me të cilin u dakordua rritja e numrit të lejeve për operacionet e transportit me vendet e treta nga 1.300 në 1.500 si dhe rritja e numrit të lejeve ekzistuese nga 3.150 në 3.500. Gjithashtu, palët u dakorduan për shkëmbimin e 250 lejeve shtesë për vitin 2026 me qëllim të përmbushjes së nevojave në rritje të transportuesve dhe lehtësimit të qarkullimit të mallrave ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Në njoftim u bë e ditur se të dyja delegacionet vlerësuan se këto vendime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të kushteve më të favorshme për sektorin e transportit, duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
“Në takim u theksua se dy vendet gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera tradicionale dhe partneritet të fuqishëm në shumë fusha ndërsa u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit në funksion të zhvillimit të transportit modern, efikas dhe të qëndrueshëm. Mbledhja e Komitetit të Përbashkët për Transportin Rrugor konfirmoi përkushtimin e të dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e projekteve e iniciativave të përbashkëta në fushën e transportit”, thuhet më tej.