MPB: Gjashtë raste të dhunës në familje brenda dy ditësh, arrestohen disa persona në mbarë vendin
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi për disa raste të dhunës në familje të regjistruara gjatë 11 dhe 12 qershorit në qytete të ndryshme të vendit, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar për sulme fizike dhe kërcënime ndaj anëtarëve të familjes.
Në Strumicë, policia arrestoi një grua 59-vjeçare, e cila dyshohet se ka sulmuar fizikisht nusen e saj dhe nipin e mitur në shtëpinë familjare. Ajo është ndaluar në stacion policor, ndërsa për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore Publike e Strumicës.
Në Gostivar u arrestua një 53-vjeçar, i cili sipas denoncimit kishte sulmuar djalin e tij 30-vjeçar dhe më pas e kishte kërcënuar atë dhe bashkëshorten e tij me një mjet të mprehtë.
Policia në Manastir privoi nga liria një 35-vjeçar, i dyshuar se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 34-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Një tjetër rast u regjistrua në Veles, ku u arrestua një 28-vjeçar pasi kishte kërcënuar familjarët dhe kishte dëmtuar orenditë e shtëpisë, duke shkelur një vendim gjykate që i ndalonte kontaktet dhe afrimin pranë prindërve të tij.
Në Kumanovë, policia arrestoi një 39-vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij 62-vjeçare. Sipas denoncimit, ajo për një periudhë të gjatë kohore kishte qenë viktimë e dhunës psikike dhe fizike nga i biri.
Ndërkohë, në Shkup, një grua 41-vjeçare raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
MPB-ja bëri të ditur se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve dhe se pas dokumentimit të tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.