Dimitrieska-Koçoska: Janë përmbushur hapat nga Agjenda reformuese të dedikuara për transparencën
Ministria e Financave ka shënuar progres të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës Reformuese 2024–2027, duke avancuar një sërë reformash të fokusuara në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Sipas Ministrisë, këto reforma janë kyçe për forcimin e kapaciteteve institucionale të shtetit, me qëllim sigurimin, absorbimin dhe menaxhimin sa më efikas të fondeve të Bashkimit Evropian.
Këto vlerësime u prezantuan nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë një takimi pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kushtuar zbatimit të Agjendës Reformuese dhe prioriteteve në procesin e integrimit evropian të vendit.
Ministrja theksoi se Instrumenti për Reforma dhe Rritje përfaqëson një mekanizëm kyç për nxitjen e reformave, të cilat synojnë forcimin e institucioneve publike, përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të financave, stimulimin e rritjes ekonomike, si dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Ajo vlerësoi se zbatimi i suksesshëm i reformave do të kontribuojë në krijimin e institucioneve më efikase, rritjen e besimit të qytetarëve dhe shfrytëzimin më të mirë të mbështetjes financiare që ofron Bashkimi Evropian.