Pas vrasjes së hoxhë Gazmend Tairovcit, miku i tij bën thirrje: Katër fëmijët që la pas kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve
Pas vrasjes së hoxhë Gazmend Tairovcit, miku i tij i afërt, Emin Emini, ka bërë një thirrje publike për mbështetje ndaj katër fëmijëve që ai la pas.
Në një reagim në rrjetet sociale, Emini kujton kontributin e Tairovcit në ndihmë të fëmijëve jetimë, duke theksuar se ai kishte organizuar dhe mbështetur vazhdimisht aksione humanitare për ta.
“Jam dëshmitar, dhe ka dëshmi të shumta, video e fotografi, ku hoxha Gazmend Tairovci ka ndihmuar e i ka mbikëqyrur shumë jetimë. Një prej preokupimeve më të mëdha që ka pasur kanë qenë aksionet e shumta për të ndihmuar fëmijët jetimë. Tani katër fëmijët jetimë që i la pas janë obligim i të gjithë neve”, ka shkruar Emini.
Hoxha u ther për vdekje nga i dyshuari Beshir Hamza i njohur me nofkën “Kalorësi i Dragashit”. Sipas informacioneve të grumbulluara nga media, hoxha u godit pesë herë me thikë për një copë toke.