Ndryshimet në kodin zgjedhor, Rokas: Partitë të arrijnë konsensus, ligji është i mirë
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, deklaroi sot se po sheh një përshpejtim të reformave në vend në të gjitha 51 hapat reformues. Ai tha se gjatë grejs- periudhës së kanë punuar ngushtë me Qeverinë dhe se nga 10 hapat e paraparë, pritet të përmbushen nëntë e gjysmë. Rokas foli edhe për Kodin Zgjedhor, i cili kundërshtohet ashpër nga opozita, për të cilin ai tha se aktualisht po zhvillohen diskutime me partitë politike dhe se është e domosdoshme të arrihet konsensus.
MIHALIS ROKAS, ABMASADOR I BE-SË
“Vetë ligji është një ligj i mirë. ODIHR dhe Komisioni Evropian kanë dhënë vlerësime pozitive. Ajo që mbetet për t’u dakorduar tani janë modalitetet e zbatimit. E kuptoj se ka mospajtime lidhur me këto modalitete, por besoj se ekziston vullneti i mirë për t’i tejkaluar ato. Komisioni Parlamentar për Kodin Zgjedhor tashmë është duke punuar dhe shpresoj që partitë, për një çështje kaq të rëndësishme, të ulen dhe të arrijnë konsensus për këtë temë të ndjeshme. Megjithatë, baza e ligjit dhe vetë ligji janë vërtet të mira”.
Ndërkaq, sa i përket ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Zgjedhor, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se teksti është plotësisht i harmonizuar me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, por sipas tij, opozita po tregon papërgjegjësi. Ai përsëriti gatishmërinë për të biseduar rreth mënyrës së votimit të diasporës.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë përsëri. Le të gjejmë një mënyrë që diaspora të votojë në numër shumë më të madh, duke kursyer edhe para. Nëse duhet, le të jetë me postë ose në çfarëdo forme tjetër, vetëm ta bëjmë votimin më të qasshëm për diasporën. Sa u përket kërkesave të tjera të opozitës, si partia më e madhe politike, ne do t’i pranojmë pa diskutim”.
Ai shtoi se VMRO-DPMNE do të pranojë edhe propozimet që fleta e votimit të konsiderohet e vlefshme nëse rrethohet vetëm numri ose vetëm emri i kandidatit, si dhe ndryshimet që kanë të bëjnë me procedurat e ankesave pas zgjedhjeve.
Samir Mustafa /SHENJA/