Raporti i BQK-së – Më shumë importe, inflacion më i lartë, deficit tregtar e rënie në eksporte të mallrave – ekonomia e Kosovës në vitin 2025
BQK: Inflacioni u rrit nga 1.6% në 3.9%, kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe ushqimit, ndërsa importet dhe deficiti tregtar vazhduan të thellohen.
Raporti vjetor për vitin 2025 i Bankës Qendrore të Kosovës ka treguar se Kosova ka shënuar rritje të madhe të importit, përshkallëzim të inflacionit e thellim të deficitit tregtar.
Raporti i hartuar nga institucioni më i lartë financiar në Kosovë, i cili më 30 qershor iu dorëzua Kuvendit, ka shpërfaqur probleme të shumta në ekonominë e vendit.
“Importi i mallrave shënoi rritje reale për 10.4 për qind… (importi) arriti në 7.0 miliardë euro”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.
Në raport theksohet edhe se deficiti tregtar i mallrave ka shënuar rritje të madhe prej mbi 12%.
“Deficiti tregtar i mallrave shënoi rritje prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 6.1 miliardë euro”, potencon raporti.
Rritje në ekonominë e Kosovës pati edhe inflacioni, i cili nga 1.6%, sa ishte në mesatare gjatë vitit 2024, ka shkuar në 3.9 për qind në vitin 2025. Kjo për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike dhe ushqimit.
“Gjatë vitit 2025, inflacioni mesatar arriti në 3.9 për qind, nga 1.6 për qind në vitin 2024, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë elektrike”.
Eksporti i mallrave të Kosovës gjatë vitit 2025, sipas BQK-së ka shënuar rënie reale prej diku 5.5%. Teksa eksportet e shërbimeve janë rritur si pasojë e vizitave të diasporës.
“Eksporti i mallrave shënoi rënie reale prej 5.5 për qind”, thotë raporti.