Shtatë të lënduar në një aksident trafiku në Gostivar
Shtatë persona mbetën të lënduar në një aksident trafiku që ndodhi në rrugën “Mlaki” në Gostivar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas policisë, aksidenti është raportuar më 6 korrik, rreth orës 23:10, në Departamentin e Punëve të Brendshme të Gostivarit. Në aksident u përfshinë një automjet “Citroen Berlingo”, i drejtuar nga R.J. (59) nga Gostivari, dhe një automjet “Seat Leon”, me drejtues O.R. (70), gjithashtu nga Gostivari.
Si pasojë e përplasjes, të dy shoferët pësuan lëndime të rënda. Lëndime të rënda morën edhe tre pasagjerë: M.S. (64), Z.I. (45) dhe S.R. (60). Të gjithë u transportuan për trajtim në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup.
Ndërkaq, dy pasagjerë të tjerë, D.P.G. (59) dhe P.A. (54), pësuan lëndime dhe iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore në Qendrën Mjekësore të Gostivarit.
Në vendin e aksidentit është kryer ekspertizë nga një ekip i Departamentit të Punëve të Brendshme të Gostivarit, ndërsa po hetohen rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.