Mucunski takohet me homologun holandez në margjinat e Samitit të NATO-s
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar sot një takim bilateral me homologun e tij holandez, Tom Berendsen, në margjinat e Samitit të NATO-s.
Samiti, i mbajtur me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, është përqendruar në çështjet kyçe që lidhen me të ardhmen e Aleancës, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e investimeve në kapacitetet mbrojtëse, ndarjen e barrës ndërmjet vendeve anëtare, mbështetjen për Ukrainën, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe sfidat aktuale të sigurisë.
Gjatë takimit mes Mucunskit dhe Berendsenit u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Holandës, zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, si dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.
Bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin e përbashkët për thellimin e partneritetit dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në kuadër të Aleancës Veriatlantike.