Zbardhet rasti me dhunën ndaj të miturës në Aerodrom, ngritet kallëzim penal ndaj katër fëmijëve dhe pesë prindërve
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se është zbardhur plotësisht rasti i sulmit fizik ndaj një vajze 12-vjeçare, i cili ndodhi më 30 qershor 2026, rreth orës 21:40, në një park në lagjen Aerodrom të Shkupit.
Sipas MPB-së, vajza ishte sulmuar fizikisht nga disa të mitura, ndërsa disa të mitur të tjerë që ndodheshin në vendngjarje e kishin filmuar incidentin me telefonat e tyre celularë.
Pas hetimeve të zhvilluara nga njësitë kompetente të MPB-së në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Shkupit, janë ngritur kallëzime penale ndaj katër të miturve dhe pesë prindërve.
Dy vajza të mitura ngarkohen me veprën penale “dhunë”, ndërsa një i mitur akuzohet për nxitje dhe incizim të paautorizuar. Një tjetër i mitur përballet me akuzën për incizim të paautorizuar, pasi ngjarja ishte regjistruar me telefona celularë.
Kallëzime penale janë ngritur edhe ndaj pesë prindërve për veprën penale “braktisje dhe keqtrajtim i fëmijës”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal.