Siljanovska-Davkova: Parimet e barazisë, solidaritetit dhe besueshmërisë në NATO duhet të zbatohen edhe në BE
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj në Samitin e 36-të të NATO-s në Ankara theksoi rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët të aleatëve për përballimin e sfidave globale të sigurisë, duke nënvizuar se vendi i saj mbetet një aleat i përkushtuar dhe kontribues aktiv në sigurinë e Aleancës, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga kabineti i saj, Siljanovska-Davkova sot iu drejtua Samitit të 36-të të NATO-s, i cili u zhvillua në Ankara.
Ajo theksoi se krerët e shteteve dhe qeverive në Samit kanë dërguar një mesazh të fuqishëm për unitet, solidaritet dhe përgjegjësi të përbashkët të aleatëve në përballimin e sfidave globale të sigurisë.
Sipas saj, vendet anëtare kanë treguar gatishmëri të qartë për të marrë pjesën e tyre të barrës në garantimin e sigurisë së përbashkët përmes forcimit të kapaciteteve të tyre mbrojtëse dhe rritjes së investimeve në mbrojtje.
Presidentja theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet aleat i përkushtuar dhe i besueshëm, i cili kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë e Aleancës dhe vazhdon të avancojë kapacitetet e veta mbrojtëse.
Duke iu referuar perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në lidhje me stabilitetin rajonal, Siljanovska-Davkova theksoi se parimet e barazisë, solidaritetit dhe besueshmërisë, të cilat shfaqen në kuadër të NATO-s, duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme edhe në procesin e integrimit evropian. Sipas saj, një Evropë e bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e rajonit dhe ka ardhur koha që pas 13 vitesh të zhbllokohet procesi i pranimit të anëtarëve të rinj.
Ajo vlerësoi se kohezioni mes aleatëve mbetet garancia më e fortë për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, duke shtuar se paqja, dialogu dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parakushtet themelore për një zhvillim të qëndrueshëm demokratik.
Sipas presidentes, motoja “Evropë më e fortë, NATO më e fortë” merr kuptimin e saj të plotë vetëm nëse bazohet në unitet, demokraci dhe paqe.
“Një Evropë e zgjeruar dhe e bashkuar është një Evropë më e fortë, por më e fortë është ajo Evropë që jeton në paqe dhe mbetet besnike ndaj parimeve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar komuniteti euroatlantik”, deklaroi Siljanovska-Davkova.