Janevska: Kufizojmë moshën dhe forcojmë masat në konviktet studentore
Në Kuvend po ndryshohet Ligji për Standardin Studentor, me qëllim që të përmirësohet siguria në konviktet studentore dhe të shmangen keqpërdorimet e shërbimeve.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur se një nga ndryshimet kryesore është vendosja e kufirit të moshës për studentët që mund të aplikojnë për banim në konvikt. Sipas ndryshimeve të reja, studentët do të mund të akomodohen në konvikte deri në moshën 30 vjeç.
Sipas ministres, janë vërejtur raste kur disa persona kanë qëndruar për shumë vite në konvikte duke shfrytëzuar shërbimet me çmim të ulët, ku përfshihen edhe ushqimi dhe shpenzimet e tjera.
Ndryshimet parashohin edhe masa ndëshkuese për studentët që shkelin rregullat e konviktit. Studentët që shkaktojnë dëme, përdorin alkool ose substanca të tjera, apo kanë sjellje të dhunshme, kërcënuese, fyese ose diskriminuese, mund të ndalohen të qëndrojnë në konvikt për një periudhë nga 1 deri në 5 vjet.
Ministrja theksoi se paralelisht po investohet në rinovimin e konvikteve studentore. Konviktet “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski – Pitu” janë duke u rikonstruktuar dhe pritet të jenë më moderne dhe më efikase në përdorimin e energjisë.