Policia arrestoi të dyshuarin për drogë, i njohur si Cunata
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se Aleksandar Lazarov, i njohur si Cunata po ashtu edhe i dyshuar për trafikim droge, para katër ditëve u arratis përmes dritares nga stacioni policor në Kocan, por është arrestuar sërish nga ana e policisë. MPB njoftoi se pas arratisjes nga stacioni policor, ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arrest qendror dhe ndërkombëtar.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Më 14.07.2026, pas informacioneve operative për një person ndaj të cilit MPB kishte lëshuar urdhër-arrest qendror dhe ndërkombëtar, nga zyrtarët policorë të SPB Shkup – Sektori për Kërkime, u privua nga liria Aleksandar Lazarov (41) nga Koçani. Për Aleksandar Lazarov ishte lëshuar urdhër-arrest me kërkesë të Gjykatës Themelore të Koçanit, si i dyshuar për veprën penale sipas nenit 215, paragrafi 1 të Kodit Penal. Personi është dërguar në Stacionin Policor Kisella Vodë për procedurë të mëtejshme”.
Nga MPB u tha se Lazarov është i njohur për policinë dhe se ai kërkohej për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. Po ashtu, Departamenti për Kontroll të Brendshëm pranë MPB-së po heton përgjegjësinë e mundshme të policëve, nga të cilët Lazarov arriti të largohej. Ndërsa nga ana tjetër opozita e ka cilësuar ngjarjen si skandal dhe shprehu dyshime për lidhjet e Lazarovit me përfaqësues të pushtetit.
Zenushe Ramadani /SHENJA/