Millanov: Ndalimi për përdorimin e ujit në Gostivar mbetet në fuqi deri në konfirmimin e sigurisë së tij
Ndalimi për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije dhe përgatitje ushqimi mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë se ai është i sigurt për përdorim. Kështu deklaroi drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Oliver Millanov, në një konferencë për media në Qeveri.
Millanov theksoi se institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë me kujdes situatën dhe të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe eliminimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje.
“Vazhdojmë ta ndjekim me vigjilencë situatën dhe të ndërmarrim masat përkatëse ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për eliminimin e shkaqeve që çuan në këtë situatë dhe rrezikuan shëndetin e qytetarëve. E sigurojmë opinionin se nuk do të lejojmë që asnjë aspekt i procedurës të mbetet i pahetuar”, deklaroi Millanov.
Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme shërbimet inspektuese po kryejnë kontrolle te operatorët e ushqimit në rajonin e Gostivarit.
Sipas tij, qëllimi i masave të jashtëzakonshme është të përcaktohet me saktësi burimi i kontaminimit, shkalla dhe përmasat e ndotjes, si dhe të sigurohen rezultate të reja laboratorike mbi bazën e të cilave do të ndërmerren hapat e mëtejshëm institucionalë.