Stuhia disa minutëshe në Shkup, 33 persona përfundojnë në spital
Pas stuhisë së fuqishme që goditi vendin një ditë më parë, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa janë regjistruar edhe dëme materiale në disa institucione shëndetësore.
Drejtori i Klinikës “Shën Naum i Ohrit”, Nebojsha Nastov , informoi se gjithsej 22 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjikale, ku dy prej tyre janë shtruar për trajtim spitalor. Ndërkohë, në Klinikën Universitare për Traumatologji, Ortopedi, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendrën Urgjente, janë trajtuar edhe 11 persona, prej të cilëve tre kanë pësuar fraktura më të rënda. Drejtori bëri të ditur se pjesa më e madhe e pacientëve kanë marrë trajtim për lëndime të lehta dhe janë liruar për mjekim në shtëpi.
NEBOJSHA NASTOV, DREJTORI I KLINIKËS “SHËN NAUM I OHRIT”
“Një pacient iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale gjatë natës për shkak të një frakture në dorë. Gjithashtu, kemi pasur një shtetas të huaj, turist, i cili u lëndua nga rrëzimi i një peme dhe pësoi lëndime. Gjendja e tij nuk kërkonte operacion, por vetëm trajtim dhe konsultim mjekësor”.
Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, foli për dëmet e shkaktuara nga stuhia në institucionet shëndetësore. Ai theksoi se po monitorohen të gjitha dëmet dhe se pas vlerësimit të dëmeve nga kompanitë e sigurimeve, do të fillohet me rikonstruksionin e tyre.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Ka pemë të rrëzuara edhe në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, por nuk ka të lënduar. Edhe në Spitalin Psikiatrik në Bardovcë nuk ka të lënduar. Atje pati edhe një ndërprerje disaorëshe të energjisë elektrike, e cila tashmë është eliminuar. Ka dëme të konsiderueshme edhe në konstruksionin e çatisë së Spitalit Klinik në Shtip”.
E, për të gjitha këto dëme që janë shkaktuar nga stuhia e djeshme, Kryeministri Hristijan Mickoski, premton se të gjitha dëmet do të vlerësohen, ndërsa kompensimi do të bëhet në përputhje me ligjin dhe praktikën e mëparshme nga institucionet kompetente.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo Qeveri kurrë nuk i ka lënë qytetarët të përballen vetë. Falënderoj institucionet dhe kryetarët e komunave, të cilët gjatë mbrëmjes dhe menjëherë pas stuhisë epike që goditi Shkupin dje, dolën në terren dhe sanonin dëmet, së bashku me institucionet nën kompetencën e tyre. Ata do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot, sepse kjo ishte një stuhi epike. Me të vërtetë, përgatitja dhe motivimi i tyre ishin të mëdha. Dëmi do të vlerësohet dhe, në përputhje me ligjin, përvojën e kaluar dhe praktikën, do të rimbursohet plotësisht nga institucionet kompetente”.
Autoritetet vijojnë të evidentojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia, ndërsa Qeveria garanton se do të angazhojë të gjitha mekanizmat për sanimin e pasojave dhe mbështetjen e zonave të prekura, njësoj siç theksojnë, si në çdo rast tjetër të fatkeqësive natyrore.
Samir Mustafa /SHENJA/
