Speciala ua refuzoi 44 ankesa dhe 108 kërkesa për lirim krerëve të UÇK-së
Çka flasin e shkruajnë në Gjykatën Speciale, krijohet përshtypja sikur ajo është një model e mishërim i drejtësisë. Por në praktikë, është totalisht ndryshe, shkruan VoxKosova.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, publikoi para pak ditësh disa të dhëna që shpërfaqin qartë se i gjithë zinxhiri institucional në Speciale vepron në koordinim, në dëm të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga 44 ankesa që mbrojtja ka paraqitur në Gjykatën e Apelit, asnjë nuk është aprovuar. Nga 3 ankesa që Prokuroria ka dërguar në Apel, të tria janë miratuar.
Si ka mundësi që mbrojtja asnjëherë të mos e bindë Apelin dhe kush qenka kjo Prokurori kaq e pagabueshme që, sa herë paraqitet në Apel, del fituese? Fundja, çfarë vlere ka një instancë si Apeli në këtë rast, nëse në praktikë funksionon vetëm në një drejtim?
Beteja e përhershme dhe e gjatë e mbrojtjes në Hagë ka qenë për lirinë. Që nga transferimi në qendrën e paraburgimit në kryeqytetin holandez, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kërkuar secili nga 27 herë, në total 108 herë, të lirohen për t’u mbrojtur ne liri.
Natyrisht, gjithmonë janë refuzuar dhe nuk kanë mjaftuar as garancitë e Policisë së Kosovës, as garancitë e një shteti të tretë.
Specialja e paraqet Ombudspersonin e saj si një mekanizëm garantues për të drejtat e të akuzuarve. Në praktikë, Avokati i Popullit atje më shumë i shërben Prokurorisë.
Në vitin 2022, krerët e UÇK-së i dërguan një letër të gjatë Pietro Sperës, italianit në krye të këtij institucioni, ku renditën 8 ankesa për shkelje procedurale, shkelje të ligjit dhe të konventave që garantojnë të drejtat e njeriut.
Të gjitha këto, Avokati Spera i rrëzoi.
Është e pabesueshme që një zyrtar qesh kur njerëzit, të drejtat e të cilëve duhet t’i mbrojë, refuzojnë ta takojnë, e ai më pas nuk merr mundin t’i kontaktojë të paktën avokatët e tyre.
Padyshim, nuk është e habitshme kjo sjellje në Hagë.
Sepse kjo është një gjykatë që administroi një proces të mbyllur e shumë të gjatë, jashtë çdo standardi. Dhe, përmes këtij gjykimi, tentoi të ndërtojë një tregim për UÇK-në me dokumente nga Serbia.
Sipas një raporti të ekspertëve eminentë britanikë, Specialja përdori të paktën 2,356 dokumente që buronin nga Beogradi.
Mbrojtja kërkoi vazhdimisht që këto dokumente të verifikoheshin, por kurrë kjo thirrje nuk iu dëgjua.
Duke njohur historinë e manipulimit të provave nga Serbia, si është e mundur që asnjë nga këto mbi 2,356 dokumentet të mos kalojë në një filtër verifikimi? Çfarë dëmi do t’i bënte drejtësisë një kontroll i vërtetësisë?
Në fakt, drejtësinë këto gjashtë vjet e kanë dëmtuar trajtimi i pabarabartë, mungesa e theksuar e transparencës dhe e mbikëqyrjes së pavarur, stërzgjatja e procesit, refuzimi sistematik i lirimit nga paraburgimi dhe injorimi i kërkesave për kontrollin e vërtetësisë së provave.