Përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-së për krizën në Gostivar
Kriza me ujin dhe rastet e shumta të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Gostivar është shndërruar në objekt të përplasjeve të ashpra politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Anëtarja e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Renata Mlladenovska, akuzoi Ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, se ka pranuar se institucionet kanë reaguar me vonesë ndaj situatës në Gostivar. Sipas saj, ky pranim konfirmon dështimin e institucioneve në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
RENATA MLLADENOVSKA, LSDM
“Në spitalin e Gostivarit tashmë mbi 4.000 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata u sëmurën sepse ‘dritat e kuqe’ të Mickoskit dhe Klekovskit u ndezën tepër vonë. Ky pranim i Klekovskit nuk e zvogëlon fajin, por përkundrazi e konfirmon atë. Ky është një pranim për kolaps të plotë të sistemit nën udhëheqjen e Mickoskit dhe organizatës së tij kriminale”.
LSDM sqaron se banorët e Gostivarit kanë konsumuar ujë të kontaminuar për 22 ditë, ndaj kërkon përcaktimin e përgjegjësisë institucionale, dorëheqjen e ministrit Klekovski dhe të zyrtarëve të tjerë përgjegjës, si dhe kontrolle urgjente të cilësisë së ujit në të gjithë vendin. ‘
Ndërkaq, VMRO-DPMNE hodhi poshtë akuzat e opozitës. Deputeti Brane Petrushevski deklaroi se LSDM po përpiqet të përfitojë politikisht nga situata, ndërsa institucionet kompetente po punojnë për stabilizimin e gjendjes në Gostivar.
BRANE PETRUSHEVSK, DEPUTET I VMRO-SË
“Numri i qytetarëve në Gostivar që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore është në rënie, ndërsa këto ditë qytetarët do të kenë ujë teknikisht të rregullt, që mund të përdoret për larje, nevoja sanitare dhe mirëmbajtjen e amvisërive. Në fund të javës së ardhshme pritet të kenë edhe ujë me cilësi të përshtatshme për pije”.
Partia në pushtet akuzoi gjithashtu LSDM-në për përhapje të dezinformatave, duke përmendur rastin e pretendimeve për cilësinë e ujit në Vallandovë, për të cilat, sipas VMRO-DPMNE-së, analizat e jashtëzakonshme kanë treguar se uji është i sigurt për konsum.
Ndërsa opozita kërkon përgjegjësi politike dhe dorëheqje për reagimin e vonuar të institucioneve, pushteti insiston se situata është nën kontroll dhe se institucionet po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e furnizimit me ujë dhe menaxhimin e situatës në Gostivar. /SHENJA/
