Ilir Hasani: Shqiptarët mbetën jashtë prioriteteve të Qeverisë
Deputeti i BDI-së, Ilir Hasani, sot në konferencë për media ka arsyetur pse BDI nuk e ka mbështetur ribalcin e buxhetit. Sipas Hasanit, mjetet për zhvillim të barabartë rajonal janë ulur. Nuk ka mjete për Klinikën Universitare në Tetovë. Nuk ka rritje të investimeve për komunat shqiptare. Nuk ka transparencë të mjaftueshme për shpërndarjen e investimeve kapitale. Ndërkohë, çdo propozim i opozitës shqiptare është refuzuar pa asnjë gatishmëri për dialog.
Pressi i plotë:
Pas përfundimit të debatit për rebalancin e Buxhetit për vitin 2026, është e qartë se kjo Qeveri edhe një herë dëshmoi se kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve, zgjedh t’i injorojë ato.
Grupi ynë parlamentar paraqiti një sërë amendamentesh serioze, të argumentuara dhe të bazuara në nevojat reale të qytetarëve. Këto amendamente nuk kishin karakter partiak. Ato kishin për qëllim të siguronin më shumë investime për komunat shqiptare, më shumë mjete për zhvillim rajonal, mbështetje për shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën dhe një shpërndarje më të drejtë të buxhetit.
Megjithatë, asnjë nga amendamentet tona nuk u pranua.
Ky është një model i përsëritur i sjelljes së kësaj Qeverie, e cila vazhdimisht refuzon çdo propozim që synon përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat me shumicë shqiptare.
Kur refuzohet financimi për Klinikën Universitare në Tetovë, kur nuk sigurohen mjete shtesë për Spitalin e Kërçovës, kur nuk mbështetet zhvillimi i barabartë rajonal dhe kur mungon transparenca për projektet kapitale nëpër komuna, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: A trajtohen shqiptarët me të njëjtin standard si pjesa tjetër e vendit?
Në vend që të korrigjojë pabarazitë, kjo Qeveri po i thellon ato. Në vend që të investojë aty ku nevojat janë më të mëdha, ajo vazhdon të favorizojë të njëjtat zona dhe të lërë pas dore komunat shqiptare.
Shifrat flasin vetë. Mjetet për zhvillim të barabartë rajonal janë ulur. Nuk ka mjete për Klinikën Universitare në Tetovë. Nuk ka rritje të investimeve për komunat shqiptare. Nuk ka transparencë të mjaftueshme për shpërndarjen e investimeve kapitale. Ndërkohë, çdo propozim i opozitës shqiptare është refuzuar pa asnjë gatishmëri për dialog.
Ky është një mesazh politik shumë i qartë. Kjo Qeveri flet për barazi, por kur vjen momenti për ta dëshmuar atë përmes buxhetit, shqiptarët mbeten jashtë prioriteteve.
Ne nuk do të heshtim përballë kësaj padrejtësie. Do të vazhdojmë të kërkojmë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në investime, pavarësisht nëse jeton në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Çair, Saraj apo në çdo komunë tjetër shqiptare.
Buxheti i shtetit nuk mund të jetë instrument i favorizimit politik. Ai duhet të jetë instrument i zhvillimit të barabartë dhe i drejtësisë për të gjithë qytetarët.
Refuzimi i të gjitha amendamenteve tona nuk është vetëm refuzim i opozitës. Është refuzim i kërkesave dhe nevojave të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që presin investime, zhvillim dhe trajtim të barabartë.
Kjo formë e politikbërjes nuk është veç majorizim, kjo nuk është vetëm formë jodemokratike, kjo formë e imponimit i hap rrugë një sistemi autoritar, që është në kundërshtim me tendencat eurointegruse.
Ne do të vazhdojmë të luftojmë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që padrejtësitë e këtij lloji të mos normalizohen.
