Baush: Duhet strategji afatgjate për përballje me krizën
Rritja e çmimeve të derivateve të naftës vazhdon të rëndojë buxhetin e qytetarëve, ndërsa shqetësimet për shtrenjtimin e mëtejshëm mbeten të pranishme. A janë të mjaftueshme masat e deritanishme të Qeverisë dhe kur mund të pritet një ulje e çmimeve? Eksperti i ekonomisë, Abil Baush tha për TV Shenja se, konfliktet e fundit me Ngushticën e Hormuzit bën që të fillojnë të rritet çmimi i derivateve të naftës, duke shtuar se pasiguritë globale dhe krizat e vazhdueshme, veçanërisht konfliktet që ndikojnë në furnizimin me naftë, paraqesin rrezik për rritjen e çmimeve jo vetëm të derivateve të naftës, por edhe të produkteve të tjera bazë.
Abil Baush
“Kemi një situatë kur konfliktet sidomos kjo e fundit me Ngushticën e Hormuzit në shpërndarjen e naftës, në rrjedhën normale të naftës bën që të fillojnë të rritet çmimi i derivateve të naftës. Po flasim për këtë për arsye se në 25% e botës e cila merr naftë të tipit të parë është nga këtu, tash mos kemi një huti në vendet tjera mund të kemi naftë, por përpunimi i asaj nafte është shumë më i rëndë dhe kushton më shumë kosto dhe kjo bën çdoherë që të kemi një rritje të naftës. Dmth konfliktet, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit çdoherë do të bëjë, jo vetëm për derivatet e naftës, ju kishit krizë edhe të ushqimit edhe të energjisë etj, etj, do të vijë çdoher në pah”.
Sa i përket masave të ndërmarra nga Qeveria, Baush tha se, deri tani kanë sjellë stabilizim të përkohshëm të çmimeve, por përballimi i krizave kërkon politika më afatgjata dhe një strategji më të qartë ekonomike.
Abil Baush
“Të jemi korrekt, në fillim masat dhanë rezultate se ishin afatshkurte dhe menjëherë dhanë rezultate për arsye se mbajtja e njëfarlloj stabiliteti i çmimeve të derivateve të naftës , po a janë të mjaftueshme, ajo duhet të tregohet në një periudhë kohore afatmesme dhe afatgjate, për fat të keq ne nuk kemi një strategji adekuate që të mund ti amortizojmë këto kriza të cilat na vijnë nga të çfardollojshme. Dmth edhe prej derivateve të naftës edhe furnizimit të ushqimit dhe zinxhireve tjera të furnizimit. Dmth ne na duhet një strategji më afatgjate, më politikë makroekonomike më e qartë që të na japë rezultat”.
Ai më tej tha se, masat afatshkurtra si kufizimi i çmimeve dhe marzheve të fitimit kanë dhënë rezultate fillestare, por në një periudhë më të gjatë mund të kenë edhe efekte negative nëse nuk shoqërohen me politika të qëndrueshme ekonomike. Ai theksoi se krizat e furnizimit nuk prekin vetëm naftën, por edhe sektorë të tjerë, përfshirë ushqimin, pasi ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Baush vlerësoi se vendi duhet të investojë më shumë në prodhimin vendor të ushqimeve bazë, duke pasur parasysh varësinë e lartë nga importi, si dhe të krijojë hapësirë në buxhet për investime në zgjidhje afatmesme dhe afatgjata.
Anida Murati /SHENJA/
