Tre persona arrestohen në Shkup, dyshohen se tentuan të marrin kredi me dokumente të falsifikuara
Tre persona nga Shkupi janë arrestuar nën dyshimin se kanë tentuar të përfitojnë kredi bankare duke përdorur dokumentacion të falsifikuar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas policisë, më 29 korrik, zyrtarët e Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, përmes Njësisë për Krim Ekonomik dhe Krim Kompjuterik, kanë privuar nga liria I.T. (45), S.T. (21) dhe P.P. (29), të gjithë nga Shkupi. Ata dyshohen për veprat penale “falsifikim i dokumentit” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Hetimet paraprake tregojnë se I.T., me ndihmën e dy të dyshuarve të tjerë, ka tentuar të aplikojë për një kredi në vlerë prej 900.000 denarësh në një bankë në Shkup. Për këtë, ai dyshohet se ka përdorur një letërnjoftim të falsifikuar me të dhënat e një personi tjetër, si dhe dokumentacion kreditor të falsifikuar.
Sipas MPB-së, të dyshuarit janë arrestuar në momentin kur dokumentacioni i paraqitur po përpunohej nga banka, duke parandaluar realizimin e mashtrimit të dyshuar.
Në koordinim me prokurorin publik kujdestar, tre personat janë nxjerrë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ndërsa ndaj tyre do të vazhdojë procedura penale.
