BDI: Qeveria planifikon investime të pasiguruara dhe zvogëlon fondet për shëndetin e qytetarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon Qeverinë se përmes ribalancit të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë ka paraparë investime kapitale pa mbulim të qartë financiar, ndërkohë që ka ulur fondet për një sërë programesh preventive dhe shërbimesh shëndetësore.
Në reagimin e partisë thuhet se në programin për rikonstruksionin dhe zgjerimin e objekteve të institucioneve publike shëndetësore janë planifikuar 300 milionë denarë (rreth 4.9 milionë euro) për “objekte të tjera ndërtimore”. Sipas BDI-së, këto mjete nuk janë paraparë në buxhetin bazë, por në kategorinë e shpenzimeve nga aktivitetet vetëfinancuese.
Partia pretendon, duke iu referuar informacioneve nga burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë, se kjo llogari realizon vetëm 1 deri në 3 milionë denarë në vit, duke ngritur dilema për realizueshmërinë e investimit.
“Nga do të vijnë realisht këto para? A ekzistojnë këto mjete, apo janë vendosur vetëm në letër për nevoja të propagandës ditore? Dhe a po krijohen detyrime ndaj kompanive pa mbulim financiar, duke rrezikuar që më pas shteti të përballet me padi për punë të kryera dhe të papaguara?”, pyesin nga BDI.
Sipas partisë, dokumentet e ribalancit tregojnë gjithashtu ulje të mjeteve për disa programe të rëndësishme shëndetësore. Buxheti për mbrojtjen shëndetësore preventive, sipas tyre, ulet nga 677.2 milionë në 670 milionë denarë, ose për 7.2 milionë denarë.
BDI thekson se janë reduktuar edhe fondet për programin e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare, kontrollet sistematike të nxënësve dhe studentëve, kujdesin parësor shëndetësor, parandalimin e tuberkulozit, shëndetin e nënave dhe fëmijëve, zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje, programin “Shëndet për të gjithë”, mbrojtjen shëndetësore të personave me çrregullime mendore, si dhe programin për trajtimin e personave që përdorin drogë.
“Kjo është politika shëndetësore e kësaj Qeverie: para virtuale për investime që mund të mos realizohen kurrë dhe më pak para për programe që shpëtojnë jetë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
