BDI: Dizeli u shtrenjtua për mbi 20% brenda një muaji, Qeveria po e çon vendin drejt një vale të re të shtrenjtimit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Qeverinë se po e çon vendin drejt një vale të re rritjesh të çmimeve, pas shtrenjtimit të dizelit.
Sipas kësaj partie, brenda më pak se një muaji çmimi i dizelit është rritur nga 82,5 në 99,5 denarë për litër, ose për rreth 17 denarë, që përbën një rritje prej 20,6 për qind.
BDI vlerëson se kjo rritje do të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët përmes kostove më të larta të transportit, çmimeve të produkteve ushqimore, shpenzimeve për bujqit dhe bizneset.
“Çdo kamion që sjell mall në market, çdo autobus dhe çdo makinë pune sot kushton më shumë. Në fund, kjo reflektohet në çmimin që paguan qytetari”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga partia opozitare akuzojnë Qeverinë se nuk ka ndërmarrë masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të karburanteve, ndërsa theksojnë se familjet përballen me presion të ri ekonomik.
BDI paralajmëron se rritja e çmimit të dizelit mund të pasohet nga shtrenjtim i produkteve dhe shërbimeve të tjera. Nga Qeveria deri tani nuk ka koment lidhur me këto akuza.
