Mickoski: Nuk planifikojmë rritje të çmimit të energjisë elektrike, po shqyrtojmë mundësinë për ulje
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Qeveria nuk po mendon për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por po punon për gjetjen e një formule që do të mundësonte uljen e tij ose rritjen e tarifës së lirë për qytetarët.
Sipas tij, ndryshe nga shumë vende evropiane që po planifikojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike, Qeveria synon të mbrojë standardin e qytetarëve.
“Nuk po mendojmë për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Po përgatisim një plan për të gjetur një formulë që ta ulim çmimin ose të paktën të rrisim tarifën e lirë, ndryshe nga shumica e vendeve në Evropë që planifikojnë ta rrisin çmimin e energjisë elektrike”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut po përballet me sukses me sfidat që ndikojnë në tregun energjetik, përfshirë krizën në Gjirin Persik dhe situatën me nivelin e lumit Danub.
Kryeministri theksoi se politika e Qeverisë nuk është të krijojë panik, por të ndërmarrë hapa konkretë që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Rezervuarët tanë në këtë moment, në fund të sezonit të ujitjes, janë rreth 70 për qind të mbushur dhe kemi pothuajse 500 gigavat-orë energji elektrike të akumuluar. Kjo është plotësisht e mjaftueshme që të ndihemi të sigurt dhe të mos kemi sfida në furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe industrinë”, tha Mickoski.
