Opozita në Kosovë “zbarkon” në Kuvend, gjejnë sallën e mbyllur, kërkojnë konstituimin
Opozita ka zbarkuar në Kuvendin të Kosovës para mesnatës, pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për nesër në orën 11:00.
Deputetë të partive opozitare janë paraqitur në Kuvend rreth orës 22:30, pak para përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, por i kane gjetur te mbyllura dyert.
“Ata të cilët kanë dhënë urdhër me mbyllë derën, ata duan që ne ta hapim atë me dhunë”, ka deklaruar Besnik Tahiri, i Aleances, teksa akuzoi Vetëvendosjen se ia vuri drynin sallës së Kuvendit kur opozita lajmëroi se do të paraqitej për seancë
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Afati i fundit për përmbylljen e këtij procesi përfundon sonte në ora 00:00.
Më herët si PDK-ja, ALEANCA, ashtu edhe LDK-ja mbajtën konferenca për media, ku i bënë thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të paraqiten në Kuvend dhe të vazhdojnë procesin e konstituimit, duke respektuar rendin kushtetues.
Ndërkohë, gjatë ditës ka përfunduar pa sukses edhe takimi i katërt mes Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Pas takimit u kuptua se nuk do të ketë marrëveshje mes palëve, ndërsa Kurti ka insistuar se nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit dhe formim të Qeverisë pa u arritur dakordim për çështjen e presidentit.
PDK-ja dhe AAK-ja vazhdojnë të refuzojnë takimet me Kurtin, ndërsa LDK-ja, e cila u takua me të, nuk ka arritur marrëveshje konkrete.